Në kujtim të Astrit Deharit, dhjetëra qytetarë vendosin qirinj e lule te murali i tij

Në kujtim të Astrit Deharit, dhjetëra qytetarë kanë vendosur qirinj e lule te murali i tij, që ndodhet në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Sot janë bërë pesë vite nga vdekja në burg e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në kujtim të Deharit sot gjatë ditës prindërit, bashkëshortja së bashku me vajzën e saj, kryeministri Albin Kurti e drejtues tjerë institucional, kanë bërë homazhe te varri i tij.

Gjatë ditës gjithashtu janë bërë edhe disa aktivitete tjera në kujtim të Deharit.

Vdekja e mistershme e Astrit Deharit e pazgjidhur tash e pesë vjet

Hetime, intervista, arrestime, raporte, ekspertiza u kryen gjatë këtyre pesë viteve që nga 5 nëntori i vitit 2016 për të zbardhur vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e cila ende mbetet një mister.

Prova e persona të dyshuar për këtë çështje sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi ka me bollëk.

Ai thotë se prokuroria duhet të ndërmarrë hapa dhe të mos e mbulojnë në heshtje vdekjen e Astrit Deharit.

“Ka prova të mjaftueshme dhe nuk mund të mbulojnë me heshtje vrasjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u vra në tentativë për t’i marrë deklaratat vetinkriminuese, ku shënjestër ishte Albin Kurti dhe LVV”, thotë Gashi.

Ai ka treguar disa nga zhvillimet që janë ndërmarrë gjatë këtyre viteve ndaj rastit të zbardhjes së vdekjes së Astrit Deharit brenda qelisë së burgut në Prizren.

Tomë Gashi, thotë se për pesë vite kishte kërkuar që të nxirret aktvendim për zhvillim të hetimeve, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Këto veprime Gashi thotë se i ka ndërmarrë pasi ekspertiza e Institutit Zviceran të Mjekësisë Ligjore në Zvicër kishte konstatuar dyshimet se Astrit Dehari ishte vetëvrarë.

“Një vit më parë, ekspertët e mjekësisë ligjore erdhën në Kosovë dhe morën informata shtesë për annex-ekspertizë, ku me siguri do të vërtetohet ekspertiza e parë dhe mund të kemi prova shtesë që mund të dërgojnë në identifikimin e vrasësve të Astrit Deharit. Ndërsa sa i përket shtytësve në vrasje dhe zyrtarëve që fshehën vrasjen këta me emra dhe mbiemra duhet t’i emërojë prokuroria në aktvendim për zhvillim të hetimeve për t`u gjetur vrasësit e Astrit Deharit”, thotë avokati Gashi për KALLXO.com.

Gashi tutje shton se së bashku me familjen Dehari kanë kërkuar që institucionet politike të mos implikoheshin në këtë rast.

“Implikimi i tyre i mëhershëm çoi deri te neglizhenca e qëllimshme e prokurorisë në zbardhjen e vrasjes së Astrit Deharit. Kur e themi këtë mendojmë në grupe të caktuara politike që ishin në pushtet në vitin 2016 dhe më tutje dhe më pastaj që thjeshtë pengonin qëllimisht zbardhjen e vrasjes”, shton tutje Gashi.

Gashi përmendi edhe disa raste kur ish-krerë të institucioneve nuk u morën në pyetje asnjëherë pas referimeve që kanë bërë se Astrit Dehari ishte vrarë.

“Hashim Thaçi në cilësinë e presidentit dhe Kadri Veseli në cilësinë e kryetarit të kuvendit deklaruan se Astrit Dehari është vrarë, prokurori i rastit kurrë nuk pati guxim që t’i thërrasë për t’i marrë në pyetje për njohuritë që kishin”, shton tutje Gashi.

Tomë Gashi tregon edhe se kallëzimi penal i ushtruar ndaj ish-kryeprokurorit Sylë Hoxha ka të bëjë me video-incizimet që ishin bërë publike në atë kohë në njërën nga televizionet e Kosovës, ku shihej koha kur ishte gjetur Astrit Dehari në qelinë e tij.

Përveç Hoxhës, sipas Gashit në Kallëzim Penal janë edhe përgjegjës të Policisë së Kosovës që kishin mundësuar publikimin e pamjeve nga korridori i burgut ku ishte Astrit Dehari.

Në pesë vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit janë organizuar edhe disa aktivitete. Sot në orën 9:30 do të mbahen homazhe te varri i tij, në orën 12 do të mbahet akademi përkujtimore, në 15:30 do të dhurohet gjak në kujtim të tij, ndërsa nga ora 20:00 është bërë ftesë që të ndizen qirinj në shtëpitë e të gjithë qytetarëve në nderim të Astrit Deharit.

Si u raportua vdekja e Astrit Deharit?

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve. Këtë deklaratë e kishte thënë për KALLXO.com ish-drejotri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është në pension, pesë vite më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta”, kishte thënë Hoxha në një prononcim për KALLXO.com në atë kohë.

Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Një ditë ma pas, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një konferencë, në të cilën Visar Ymeri kishte thënë se Dehari po mbahej në paraburgim për një rast të montuar sipas tij.

Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

Vdekja e mistershme e Astrit Deharit e pazgjidhur tash e pesë vjet