Ilustrim

Në dy komuna lansohet pilot-projekti për ndërlidhjen e qytetarit me adresë unike

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka lansuar pilot-projektin për unifikimin e adresave apo lidhjen e qytetarit me adresë unike. Ky projekt do të fillojë së pari në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe atë të Istogut.

Përmes këtij projekti synohet ndikimi në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët, sigurinë e dokumenteve, proceset elektorale, luftimin e krimit dhe në tërësi në situatën e sigurisë në vend.

Drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, ka thënë se janë përzgjedhur Komuna e Istogut dhe e Mitrovicës për shkak të dallimit që kanë në sistemin e adresave.

“Ky është një pilot projekt ku ne si grupe punuese me të gjithë akterët që janë prezent kemi përzgjedhur Istogun dhe Mitrovicën. Janë përzgjedhur për shkak të rëndësisë së veçantë që dallojnë nga njëra-tjetra sa i përket sistemit të adresave” – ka thënë Camaj.

Ndërsa i pari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka thënë se do të jenë të përkushtuar për implementimin e suksesshëm të këtij projekti.

“Do të jemi serioz dhe të përkushtuar në këtë punë për shkak se ka vështirësi sidomos për bizneset edhe me rastin e regjistrimit, ka problem edhe me institucione gjyqësore, gjykata dhe institucione tjera por normalisht kjo është problem edhe për qytetarët në këtë rast specifikisht për qytetarët e Mitrovicës së Jugut” – deklaroi Hamza.

Camaj ka thënë se ky finalizim nuk do të ketë sukses nëse nuk do të ketë bashkëpunim me komunat.

Në ceremoninë e lansimit të këtij pilot-projekti kanë marrë pjesë, Drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Blerim Camaj; Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi; përfaqësues nga Komuna e Mitrovicës, përfaqësues nga Komuna e Istogut dhe menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci.

Përmes këtij sistemi, i cili bazohet në të dhënat që merr nga Sistemi i Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile dhe Sistemi i Informimit të Regjistrit të Adresave, synohet të bëhet ndërlidhja e regjistrit të gjendjes civile me regjistrin e adresave, duke krijuar adresë unike për secilin shtetas që jeton në Kosovë.

Krijimi i Sistemit të Adresave ka nisur që nga viti 2010, por ka munguar lidhja e saj me qytetarin.

Ky projekti është mbështetur nga GIZ dhe do të finalizohet nga Banka Botërore.