Ndryshe nga Grenell, Thaçi përmend edhe çështjet politike

Që kur u emërua si i deleguar special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka deklaruar se është i interesuar që bisedimet në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë të fokusohen në çështje ekonomike.

Një gjë të tillë Grenell e tha edhe sot, derisa deklarimin e tij e publikoi Ambasada e ShBA-së në Kosovë.

“Mundësia e Shtëpisë së Bardhë hap derën e zhvillimit të ri ekonomik dhe investimeve. ShBA shpreson se liderët në Kosovë dhe Serbi do ta shfrytëzojnë këtë shans për t’u rikthyer në dialog dhe për të filluar një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit”, citohet të ketë thënë i deleguari i presidentit Amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ndryshe nga amerikani po deklarohet presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Gjatë një konference për media të enjten pasdite, Thaçi tha se çështjet ndërmjet dy vendeve të Ballkanit Perëndimor janë edhe politike, jo vetëm ekonomike.

“Për Kosovën është edhe çështje edhe politike edhe ekonomike në raport edhe me fqinjin – Serbinë”, ka thënë Thaçi duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Më 27 qershor, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit Richard Grenell pritet të rifillojë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se ai do ta përfaqësojë Kosovën në dialog, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit.

Ndërkohë, edhe presidenti Thaçi ka thënë se “në përputhje me Kushtetutën” do të marrë pjesë në dialog.

Presidenti Hashim Thaçi mban konferencë për media

Presidenti Hashim Thaçi mban konferencë për media

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 18 juin 2020