Grenell: Takimi në Shtëpinë e Bardhë mundësi për fillimin e epokës së stabilitetit

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka bërë publike një deklaratë të emisarit të Presidentit Donald Trump, Richard Grenell, i cili citohet të ketë thënë se takimi i 27 qershorit është një mundësi që i hap derën zhvillimit ekonomik.

“Mundësia e Shtëpisë së Bardhë hap derën e zhvillimit të ri ekonomik dhe investimeve. ShBA shpreson se liderët në Kosovë dhe Serbi do ta shfrytëzojnë këtë shans për t’u rikthyer në dialog dhe për të filluar një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit. Njerëzit e këtij rajoni nuk meritojnë më pak”, citohet të këtë thënë Grenell.

Më 27 qershor, liderët nga Kosova dhe Serbia pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka marrë premtimin e Serbisë së do të ndalet fushata e çnjohjes.

“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, ka shkruar ai.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Kurse presidenti i vendit Hashim Thaçi i pyetur nga gazetarët se a do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje në Washington, u përgjigj shkurtimisht, se nëse është marrëveshje e mirë, do ta nënshkruajë.