Ndalohet zyrtari i dyshuar për keqpërdorim të pozitës, ishte dënuar edhe në vitin 2022
Një hetim i gjerë i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Prizrenit, ka çuar në ndalimin e një zyrtari të dyshuar për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.
KALLXO.com mëson nga burime se zyrtari i Agjencisë Pyjore të Kosovës, i arrestuar sot, ishte i dënuar në vitin 2022.
Policia ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prizren, në koordinim me Prokurorinë Themelore, ka ndërmarrë veprime pas dyshimeve se dhjetëra kërkesa për shfrytëzim të parcelave të Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) ishin të falsifikuara.
Sipas komunikatës se Policisë, bëhet fjalë për 39 kërkesa, të cilat dyshohet se nuk ishin as të përpiluar e as të nënshkruara nga personat në emrat e të cilëve ishin paraqitur.
“Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi se i dyshuari, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim përfitimi personal. Ai dyshohet se ka marrë para nga qytetarë të ndryshëm duke iu premtuar se do ua rregullonte dokumentacionin për të përfituar prona me qira nga APK” – ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
KALLXO.com mëson nga burime brenda Prokurorisë së Prizrenit së i arrestuari është Izet Osmanaj, i cili ishte dënuar në vitin 2022, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në gjykatë, Izet Osmanaj e kishte pranuar fajësinë.
Sipas dosjes, më datë 27.01.2022, rreth orës 13:30 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar – inxhinier i pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Prizrenit, tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër.
Prokuroria më tej përshkruante se i pandehuri së pari angazhon kompaninë Sh.P.K ‘B’ për prerjen dhe krasitjen e drunjve, pa kaluar në procedurë te tenderimit.
“Në kundërshtim me vendimin e D.SH.P në Prizren që të njëjtat të dërgohen në hapësirat e Agresionit të Pylltarisë në Prizren, drunjtë e prerë në sasi prej 43,96 m3 i dërgon në hapësirat e zonës industriale në Lubizhdë të cilat janë transportuar përmes firmës e cila ka bërë prerjen dhe krasitjen e drunjtëve duke i mundësuar të njëjtës përfitim pasuror të kundërligjshëm”-thuhet në akuzë.
Me këto veprime Izet Osmanaj kishte kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjykata ndaj Osmanajt kishte shqiptuar dënim prej 6 muajve burgim, dënim ky i zëvendësuar me gjobë në shumën prej 1500 euro.
Zyrtari i Autoritetit Pyjor pranon fajësinë për akuzën se 60 metra dru ia dha kompanisë private