Zyrtari i Autoritetit Pyjor pranon fajësinë për akuzën se 60 metra dru ia dha kompanisë private

Zyrtari i autoritetit pyjor në Prizren, Izet Osmanaj është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Osmanaj po ngarkohet me akuzën se 60 metra kub dru ia dha një kompanie private dhe nuk i dërgoi në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë.

Me t’u pyetur për fajësinë, Osmanaj u deklarua fajtor.

“Do ta pranojë fajësinë”, tha i akuzuari në Gjykatë.

Gjykimi më tej vijoi me fjalën përfundimtare të palëve me ç’rast, prokuroria kërkoi që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Prokurorja Ariana Shaikovca kërkoi që ndaj tij gjithashtu të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Ndërkaq, Sylë Hoxha mbrojtës i të akuzuarit propozoi që ndaj të akuzuarit të merren parasysh rrethanat lehtësuese pasi ishte hera e parë që binte ndesh me ligjin, ishte mbajtës i vetëm i familjes dhe në rastin konkret nuk kishte shkaktim të dëmit por shkelje të procedurave.

Në fjalën përfundimtare, i akuzuari Osmanaj argumentoi se për shkak të rrëzimit të lisit ku në ato ditë një person kishte vdekur, Osman deklaroi se vetëm kishte përshpejtuar procedurën.

“Nga kjo unë nuk kam përfituar asgjë dhe nuk e kam dëmtuar askënd, drunjtët janë vendosur në objektin e pylltarisë”, sqaroi i akuzuari Osmanaj.

Shpallja lidhur me këtë rast do të bëhet nesër, datë 31 maj 2022.

Osmanaj nga policia ishte arrestuar në janar të këtij viti nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

https://kallxo.com/lajm/arrestohet-pergjegjesi-i-autoritetit-pyjor-ne-komunen-e-prizrenit/

Ndaj tij, gjykata gjithashtu ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Sipas prokurorisë më datë 27 janar 2022, rreth orës 13:30 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar – inxhinier i pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Prizrenit, tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër.

Prokuroria më tej përshkruan se i pandehuri së pari angazhon kompaninë  Sh.P.K ‘B’ për prerjen dhe krasitjen e drunjve, pa kaluar në procedurë te tenderimit.

Më tej thuhet se ato nuk u dërgua në hapësirat e Agresionit të Pylltarisë.

“Në kundërshtim me vendimin e D.SH.P në Prizren që të njëjtat të dërgohen në hapësirat e Agresionit të Pylltarisë në Prizren,  drunjtë e prerë në sasi prej 43,96 m3 i dërgon në hapësirat e zonës industriale në Lubizhdë të cilat janë transportuar përmes firmës e cila ka bërë prerjen dhe krasitjen e drunjtëve duke i mundësuar të njëjtës përfitim pasuror të kundërligjshëm”-thuhet në akuzë.

Me këto veprime Izet Osmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.