Musliu: Ish-krerëve të UÇK-së në Hagë u janë ndaluar vizitat dhe telefonatat

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se po u ndalohen vizitat dhe telefonatat ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Musliu gjatë fjalës saj në Kuvend tha se Gjykata Speciale po i shkelë të drejtat e njeriut me këtë vendim.

“Dhomat e Specializuara apo Gjykata Speciale në Hagë në mungesë të provave dhe fakteve për të fshehur motivin politik dhe dështimin e tyre janë duke përdorur metodat e frikshme të shkeljes së të drejtave të njeriut që nga fillimi i punës së kësaj gjykate e deri me vendimin e fundit për ndalimin e vizitave dhe telefonatave të atyre që po mbahen padrejtësisht prapa grilave”- deklaroi Musliu.

Ajo tha se Kuvendi do duhet të reagonte i pari para këtyre shkeljeve pasi sipas saj gjykata është formuar nga parlamenti.

“Kosova dhe shqiptarët asnjëherë nuk i janë trembur drejtësisë sikurse nuk i kanë pranuar padrejtësitë. Ky Kuvend e ka pranuar këtë gjykatë dhe ky Kuvend do të duhet të ishte i pari që të reagojë kur shkelen të drejtat themelore të njeriut”- theksoi Musliu.

“Andaj është koha e fundit të mendojmë nëse dëshirojmë të heshtemi të nënshtrohemi e të poshtërohemi apo të tregojmë se kemi krenari shtetërore dhe kombëtare. Kemi ligje e Kushtetutëne ti themi stop pasrejtësive në emër të shtetit dhe në emër të popullit”- shtoi ajo.

Në lidhje me këtë çështje, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se avokati nuk po e bën punën si duhet. Ajo shtoi se do të interesohen për rastin në fjalë.

“Avokati paralel, avokati i popullit paralel nuk po e bën punën” – tha ajo.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare që në rend dite ka marrëveshjet ndërkombëtare, debat për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe përzgjedhja e anëtarëve të bordit të RTK-së.