MSh pranon 150 mijë euro për luftimin e COVID-19 nga “Novartis Pharma Services Inc” në Tiranë

Ministria e Shëndetësisë sot ka pranuar një donacion prej 150 mijë eurove nga “Novartis Pharma Services Inc.” (Zyra përfaqësuese në Tiranë).

Ky donacion sipas ministrisë është bërë me qëllim të ndihmesës së institucioneve të shëndetësisë në përballimin e barrës së shkaktuar nga emergjenca e shëndetit publik COVID-19.

Ministria këtë donacion do të dedikojë vetëm për blerjen e pajisjeve dhe materialeve mjekësore për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19, sipas kërkesës së SHSKUK-së për nevoja të Klinikës Infektive dhe qendrave të tjera për luftimin e COVID-19.

Ministria në komunikatë ka falënderuar donatorin si dhe ka treguar se donacioni është bërë sipas  një marrëveshjeje të nënshkruar më 21 prill 2020 midis MSh-së dhe  “Novartis Pharma Services Inc.”, sipas së cilës shuma e dhuruar nuk përmban asnjë detyrim për përfituesin që të përshkruaj, furnizoj, administroj, rekomando dhe/ose të blej produkte farmaceutike Novartis dhe nuk është një shpërblim për ndonjë vëllim, vlerë ose referencë në të shkuarën apo për të ardhmen e biznesit.