Foto: MPJD

MPJD për kryeshefin e KRU 'Gjakova': Është ndaluar në Bullgari më 19 shkurt 2024

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), ka konfirmuar arrestimin në Bullgari të kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, ndërsa sipas tyre i njëjti “supozohet” se po kërkohet nga INTERPOL-i. 

Sipas njoftimit nga MPJD, Krasniqi është ndaluar nga autoritetet bullgare më 19.02.2024.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K)  është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar ‘Gyushevo’” – ka thënë MPJD për KALLXO.com. 

MPJD ka shtuar se Krasniqi “supozohet” të jetë i kërkuar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL.

“Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasi që i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli” – njofton MPJD.

Në anën tjetër, INTERPOL në një përgjigje për KALLXO.com nuk ka ndarë informata për këtë rast, por ka kërkuar të kontaktohen autoritetet relevante.

“Ju lutem të keni parasysh se Organizata nuk komenton raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet kombëtare relevante” – janë përgjigjur nga INTERPOL.

Disa media kanë raportuar më 01.03.2024, se Krasniqi është arrestuar në Bullgari, pasi që kishte një urdhërarrest ndërkombëtar.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Bullgarisë dhe Policinë italiane dhe është në pritje të përgjigjeve.

Kurse, zëdhënësja e KRU Gjakova, Dafina Syla, në një përgjigje për KALLXO.com më 01.03.2024, ka thënë se kompania nuk ka asnjë informatë.

“Ne si kompani nuk kemi asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë çështje” – ka thënë Syla shkurtimisht, duke thënë se “vetëm kaq mund të deklarohem”.

Ndërsa në një përgjigje të shkurtë, Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë ka thënë se nuk ka informata në lidhje me rastin.

“Ne nuk kemi asnjë informatë në lidhje me këtë rast” – kanë thënë nga kjo ministri.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës për të marrë informatat e plotë rreth rastit dhe është në pritje të përgjigjeve.

Hasan Krasniqi në janar të vitit 2022 u pat zgjedhur kryeshef i KRU Gjakova.

Në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për asamblenë e Gjakovës nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).