Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës, pritet të takojë edhe liderët e Bullgarisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në kryeqytetin bullgar, në Sofje, për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.
Kurti do të marrë pjesë së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Me këtë rast, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, njofton Zyra e Kryeministrit. Radev në dhjetor të vitit 2023 për herë të parë kishte vizituar zyrtarisht Kosovën dhe ishte takuar me kryeministrin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit, pjesëmarrës në takimet në Sofje do të jenë edhe ministra, zyrtarë qeveritarë e personalitete nga Europa. Kurti fillimisht do të jetë i pranishëm në ceremoninë hapëse të forumit, gjatë të cilit do të mbajë një fjalë rasti.
Ndërkaq, më 22.04.2024 do të jetë pjesë e sesionit të diskutimit “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe arsimit për bashkëpunimin ekonomik rajonal”.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur më 14.02.2024 miratoi një propozim-vendim për ndarje buxhetore për promovim të vendit, në vlerë 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës.
Kurti theksoi se Kosova ka marrë pjesë rregullisht në konferencat e organizuara nga ky forum, dhe sipas tij, kjo mbështetje financiare është e nevojshme.
Kosova në majin e vitit 2023, për herë të parë ishte nikoqire e Forumit Ekonomik të Vjenës në kuadër të të cilit u mbajt konferenca “Vienna Economic Talks” në Prishtinë.
Në konferencën e titulluar “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, Kurti pati përmendur edhe marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila do të përdorej për energjinë e rinovueshme.
Forumi Ekonomik i Vjenës (VEF), të cilit iu dha statusi i Organizatës Ndërkombëtare Joqeveritare kryesisht më 07.01.2011 dhe më pas përsëri më 01.01.2022.
Më 27.07.2012, VEF-it iu dha Statusi Konsultativ Special me Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC). Që nga viti 2015, Forumi Ekonomik i Vjenës është regjistruar në Regjistrin e Transparencës të Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian. VEF ka marrë të drejtën për të valëvitur flamurin e VEF nga autoritetet austriake.
Qëllimi i këtij forumi është bashkëpunimi ekonomik rajonal që nga themelimi i tij në vitin 2004.