K.R.U. Gjakova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KRU 'Gjakova' thotë se nuk ka asnjë informacion se është arrestuar kryeshefi Hasan Krasniqi

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka thënë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar në lidhje me raportimet për arrestimin e kryeshefit të kësaj kompanie publike, Hasan Krasniqit.

Disa media sot më 01.03.2024 kanë raportuar se Krasniqi është arrestuar në Bullgari, pasi që kishte një urdhërarrest ndërkombëtar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e KRU Gjakova, Dafina Syla, ka thënë se kompania nuk ka asnjë informatë.

“Ne si kompani nuk kemi asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë çështje” – ka thënë Syla shkurtimisht, duke thënë se “vetëm kaq mund të deklarohem”.

KALLXO.com ka kontaktuar me Interpolin, Policinë e Bullgarisë dhe Policinë italiane dhe është në pritje të përgjigjeve.

Ndërsa në një përgjigje të shkurtë, Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë ka thënë se nuk ka informata në lidhje me rastin.

“Ne nuk kemi asnjë informatë në lidhje me këtë rast” – kanë thënë nga kjo ministri.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës për të marrë informatat e plotë rreth rastit dhe është në pritje të përgjigjeve.

Hasan Krasniqi në janar të vitit 2022 u pat zgjedhur kryeshef i KRU Gjakova.

Në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për asamblenë e Gjakovës nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Kandidati i Vetëvendosjes për asamblist zgjidhet kryeshef në KRU ”Gjakova”