Qeveria e Kosovës ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Foto: Kryeministri Albin Kurti në Twitter

MPJD jep detaje për kosovarët që janë në Ukrainë

Në territorin e Ukrainës, para fillimit të luftës më Rusinë kanë qenë 7 shtetas nga Kosova, 3 prej të cilëve janë kthyer në Kosovë me të filluar konflikti i armatosur, ndërsa edhe 4 janë në proces të largimit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ).

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë e cila mbulon edhe territorin e Ukrainës, që nga përkeqësimi i situatës në Ukrainë e deri më tani ka vendosur kontakt me gjithsej 7 shtetas të Republikës së Kosovës. Tre nga ta kanë lëshuar tashmë territorin e Ukrainës”, thuhet në përgjigjen e MPDJ-së.

Sipas MPDJ, shtetasit e larguar janë ndodhur në Ukrainë përkohësisht për çështje pune dhe biznesi.

MPDJ ka konfirmuar se një familje 4 anëtarëshe të hënën është drejtuar për në Hungari për t`u kthyer.

“Ambasada gjithashtu është në  kontakt me familjen 4 anëtarëshe Buxhovi, kryefamiljari i të cilës deri ditën e hënë ka qenë në territorin e Ukrainës në rrugë e sipër për të kaluar në Hungari”, thuhet në përgjigje.

MPJD ka theksuar se Ambasada në Pragë e cila mbulon edhe territorin e Ukrainës  ka vendosur të gjitha kontaktet e nevojshme me institucionet përgjegjëse në Poloni dhe është duke lehtësuar komunikimin dhe kalimin e shtetasve të Kosovës.

Sot, janë bërë një javë që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë.

Trupat e presidentit Vladimir Putin kanë pushtuar disa nga rajonet kufitare të Ukrainës dhe po i shtojnë sulmet ndaj Kievit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës dhe janë  zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.