MPB: Gjithçka është gati për regjistrimin e targave ilegale në RKS

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është takuar me të gjithë koordinatorët e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Në komunikatën e MPB-së është thënë që për këtë proces “gjithçka është gati”.

“Takimi ka pasur për qëllim njoftimin për përgatitjet e fundit që është duke i bërë Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me këtë proces, ku u theksua se tashmë gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit të mjeteve me targa RKS”, është thënë në njoftim.

Tutje është treguar se Ministri Sveçla ka ofruar mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë, më qëllim të realizimit të këtij objektivi, që, sipas njoftimit, është në të mirë të të gjithë qytetarëve, sepse sipas tyre përmirëson sigurinë në trafik, ulë numrin e veturave pa regjistrim dhe përmirëson sigurinë në përgjithësi.

Lidhur me çështjen e tagrave, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për “Zëri i Amerikës” dje ka thënë se kjo nuk nënkupton se janë kundër qytetarëve serbë, por sipas tij, nënkupton se duan bashkëpunim me ta dhe drejtësi të barabartë.

“Para më shumë se një muaji ne kemi marr dy vendime në Qeverinë e Kosovës, në njërën anë kemi dhënë një afat dy mujor, i cili fillon të hënën që të gjithë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb, të cilët kanë targat nga koha e Millosheviqit t’i konvertojnë në targa legjitime dhe legale të Kosovës me ç’rast ne kemi ofruar edhe lehtësime për të bërë një konvertim të tillë. Gjithashtu, nga e hëna të gjithë ata që kanë dokumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të hynë në Kosovë ne do t’i pajisim me një dokument të veçanta i cili tregon që ata mund të lëvizin lirisht në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Në vendimin e Qeverisë është thënë se ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë dhe se obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.

Një pikë tjetër që ishte vendosur në mbledhjen e Qeverisë është edhe çështja e ngjitësve të targave të automjeteve, që sipas njoftimit, është shtyrë afati deri në tetor 2022.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhej e ditur se automjetet me targa të Serbisë që kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Kosovës duhet të kenë të vendosur ngjitësin ne pjesën e simboleve shtetërore, e që do të vlejë deri në 31 tetor 2022.

“Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhej në fund të njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, më 29 qershor të këtij viti mori edhe vendimin që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Ky vendim do të filloj zbatimin këtë të hënë, pra më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022.

Lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës ka bërë një postim sot ku ka rikujtuar se nga data e lartcekur vendimi i marr në mbledhjen e 85 të Qeverisë do të fillojë zbatimin.

“Të dashur qytetarë, bazuar në vendimin e Qeverisë, ju rikujtojmë se nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje”, thuhet në postimin e Qeverisë.

Sipas qeverisë, ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror dhe dokumenti në fjalë ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë ditë.

Po ashtu, Qeveria ka njoftuar se me një dokument të tillë do të pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Ky fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Kurti për targat: Nuk jemi kundër qytetarëve serbë, duam që të bashkëpunojmë