Kryeministri Albin Kurti. Foto: ZKM.

Kurti për targat: Nuk jemi kundër qytetarëve serbë, duam që të bashkëpunojmë

Qeveria e Kosovës më 29 qershor të këtij viti mori vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Ky fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Po ashtu, Qeveria kishte vendosur që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Ky regjistrim do të fillojë të hënën, më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022.

Lidhur me këtë kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për “Zëri i Amerikës” ka thënë se kjo nuk nënkupton se janë kundër qytetarëve serbë, por sipas tij, nënkupton se duan bashkëpunim me ta dhe drejtësi të barabartë.

“Para më shumë se një muaji ne kemi marr dy vendime në Qeverinë e Kosovës, në njërën anë kemi dhënë një afat dy mujor, i cili fillon të hënën që të gjithë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb, të cilët kanë targat nga koha e Millosheviqit t’i konvertojnë në targa legjitime dhe legale të Kosovës me c’rast ne kemi ofruar edhe lehëtsime për të bërë një konvertim të tillë. Gjithashtu, nga e hëna të gjithë ata që kanë dokkumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të hynë në Kosovë ne do t’i pajisim me një dokument të vecant i cili tregon që ata mund të lëvizin lirisht në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Në vendimin e Qeverisë është thënë se ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë dhe se obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.

Një pikë tjetër që është vendosur në mbledhjen e sotme të Qeverisë është edhe çështja e ngjitësve të targave të automjeteve, që sipas njoftimit, është shtyrë afati deri në tetor 2022.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhej e ditur se automjetet me targa të Serbisë që kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Kosovës duhet të kenë të vendosur ngjitësin ne pjesën e simboleve shtetërore, e që do të vlejë deri në 31 tetor 2022.

“Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhej në fund të njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Kosova vendos reciprocitet për qytetarët e Serbisë, duhet të pajisen në kufi me fletë-deklarim që zëvendëson letërnjoftimet