Mosdekretimi i Blerim Isufajt si kryeprokuror i shtetit, reagon shefi i zyrës së BE-së në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje në një konferencë për media njoftoi se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn si Kryeprokuror i Shtetit.
Pas këtij njoftimi të Osmanit, sot ka reaguar edhe Shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Duke marrë parasysh deklaratën e presidentes për Kryeprokurorin e Shtetit, theksoj nevojën kritike për një proces përzgjedhjeje të bazuar në merita, transparente dhe të drejtë për pozitat brenda sistemit të drejtësisë” – tha ai.
While taking note of the President’s statement on the Chief State Prosecutor, I emphasise the critical need for a merit-based, transparent, and fair selection process for positions within the justice system. (1/2)
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) October 18, 2023
Tutje Szunyog i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të ruajnë me vendosmëri parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit në “zgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”.
Në konferencën e djeshme, Osmani tha se nuk do ta dekretojë Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, për shkak të “shkeljeve masive në këtë proces”.
“Siç jeni në dijeni procesi është konsideruar i parregullt. Shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimin të presidencës janë bërë publike nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat. Përgjegjësia ime më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë vlerat fundamentale të mos rri duarkryq” – tha presidentja.
“Sot e kam njoftuar KPK-në, lidhur me këtë vlerësim të procedurës, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura më obligon që mos të bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të datës 8 prill 2022”- shtoi tutje ajo.
Më pas Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dalë me një reagim ndaj veprimit të fundit të Presidentes, për mosdekretimin e Blerim Isufajt.
Këshilli Prokurorial ka treguar se pas vendimit të presidentes, kanë mbajtur një takim të mbyllur në të cilin është diskutuar pikërisht kjo temë.
Deklaratat e Osmanit, KPK i ka etiketuar si politike, tendencioze e të pabazuara, asesi si deklarata kushtetuese e ligjore.
“Duke shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj, të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze, të cilat i prezantoi sot në një konferencë për media”- thuhet në njoftimin e KPK-së.
Këshilli, veprimet e Osmanit i quajti si përpjekje sistematike për ndikim politik mbi sistemin Prokurorial të Kosovës. Sipas KPK-së arsyet për mosdekretimin e Isufajt janë të paqëndrueshme.
Më 6 prill të vitit 2022, Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit. Ai ishte nominuar me 11 vota për. Më pas emri kishte shkuar te zyra e Presidencës, dhe më shumë se një vit e gjysmë më pas, presidentja Osmani ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Isufajn.
Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit