KPK - Arkiv

Reagimi i KPK-së ndaj vendimit të Presidentes për refuzimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dalë me një reagim ndaj veprimit të fundit të Presidentes Vjosa Osmani, për mos dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial ka treguar se pas vendimit të presidentes, kanë mbajtur një takim të mbyllur ku është diskutuar pikërisht kjo temë.

Deklaratat e Osmanit, KPK i ka etiketuar si politike, tendencioze e të pa bazuara, asesi si deklarata kushtetuese e ligjore.

“Duke shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj, të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze, të cilat i prezantoi sot në një konferencë për media”- thuhet në njoftimin e KPK-së.

Këshilli, veprimet e Osmanit i quajti si përpjekje sistematike për ndikim politik mbi sistemin Prokurorial të Kosovës. Sipas KPK-së arsyet për mos dekretimin e Isufajt janë të pa qëndrueshme.

“Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi  përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mos dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”- thuhet tutje në reagimin e KPK-së.

Lidhur me kërcënimet që i kishte theksuar Presidentja Vjosa Osmani për këtë rast, KPK, ftoi të njëjtën t`i denoncojë në organet kompetente.

“Lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, ftojmë Presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor”- thuhet tutje në reagim.

Sipas KPK-së, Presidentja e Kosovës nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve.

“Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve”- thuhet në fund të njoftimit.

Presidentja Vjosa Osmani në një konference për media, bëri të ditur të martën se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit për “shkak të shkeljeve masive”, duke shkuar më tej se kishte pranuar edhe kërcënime nga zyrtarë të insitucioneve të drejtësisë.

Çka përmban dokumenti i Presidentes Osmani me të cilin refuzoi dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit?