KPK e propozon Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit - VIDEO

Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për kryeprokuror të ri të Shtetit.

 

Pas votimit dhe aprovimit të prokurorit Blerim Isufaj nga Këshilli Prokruorial, emri i tij do të shkojë tek Presidentja e vendit për dekretim.

Në rast se presidentja e voton këtë kandidat atëherë, i njëjti emërohet si Kryeprokuror i ri i Shtetit.

E në rast se ndodh e kundërta, atëherë procesi përsëritet.

Pas refuzimit të ankesave të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, procesi vazhdoi me votimin e anëtarëve të këshillit për kandidatin më të poentuar për kryeprokuror të shtetit.

Komisioni për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit në përbërje të prokurorëve: Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Jehona Grantolli, kanë shqyrtuar ankesat e kandidatëve.

Ankesa kishin ushtruar kandidatët Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Ndryshe nga herë të tjera, intervistat për kryeprokuror të shtetit janë zhvilluar nën praninë e kamerës, çdo intervistë e secilit kandidatë është xhiruar dhe është transmetuar në Radiotelevizionin e Kosovës.

Në bazë të rezultatit të intervistimit: Blerim Isufaj është vlerësuar si kandidati më pikët me të larta, me 98 pikë.

I pasuar nga Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Në bazë të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, pas votimit dhe shpalljes së rezultateve, atëherë votimi për emërimin e kryeprokurorit të shtetit duhet të aprovohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial.

Rregullorja përcakton se kandidati që merr më së shumti vota në këtë rast kandidati Blerim Isufaj, duke kaluar me vota të përgjithshme, mbi 3% kandidatin e dytë, atëherë emri i këtij kandidati shkon për votim dhe aprovim në këshill.

Në rast se kandidati nuk merr votat e shumicës së të pranishmëve të anëtarëve të KPK-së, atëherë  rishpallet konkursi.

Kurse në rastet kur diferenca në mes të kandidatit të parë dhe të dytë është deri në 3%, atëherë emrat e dy kandidatëve shkojnë për votim në këshill.

Votimi i anëtarëve të KPK-së është i fshehtë.

Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk e merr shumicën e votave, atëherë votimi përsëritet. Nëse edhe pas përsëritjes asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e votave, atëherë konkursi rishpallet.

Kandidati që merr shumicën e votave dërgohet te Presidenti i vendit për dekretim.

Përfundon intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit

Në garë për Kryeprokuror të Shtetit ishin: Blerim Isufaj, ish-kryesues i KPK-së dhe aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Kujtim Munishi, Kryeprokuror i Prokurorisë së Prishtinës, Armend Hamiti, prokurori në Prokurorinë e Prishtinës, dhe Lulzim Sulejmani e Shqipdon Fazliu, prokurorë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.