Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Miratohet në parim Projektligji për skemat pensionale

76 deputetë të Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë mbështetje në parim Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se me ndryshimet në këtë Ligj do t’u mundësohet marrja e pensionit kontributdhënës atyre qytetarëve që nuk e kanë përmbushur kriterin e përvojës së punës prej 15 vjetësh para janarit të vitit 1999.

“Është një Projektligj që merr parasysh periudhën që prej kohës së largimit apo vendosjes së masave të dhunshme dhe largimit të dhunshëm nga puna e deri më datën 1 janar të vitit 1999, e cila periudhë për këdo që është larguar nga puna, njihet si stazh për hir të përllogaritjes së kushtit prej 15 vitesh ndërsa skema parciale kontributive që rregullohet me këtë Projektligj dhe shtohet me ligjin bazik, pastaj mundëson që pagesa për ata që kanë kontribuar të paguhet konform viteve aq sa kanë kontribuuar në fondin pensional të atëhershëm”- ka thënë Murati.

“Pritet të përfitojnë mbi 70 mijë pensionistë të cilët do të kalojnë nga skema aktuale bazike në atë kontributeve dhe kostoja për tërë jetëgjatësinë e ligjit, parashihet të jetë 1.3 miliard euro”- shtoi ai.

Partitë opozitare, LDK dhe AAK e mbështetën këtë Projektligj përderisa shprehën shqetësime se në të ka dispozita diskriminuese për punëtorët e viteve ‘90 që janë larguar nga puna në mënyrë të dhunshme, përderisa deklaruan se do japin kontributet e tyre ndërmjet dy leximeve.

“Ne si grup parlamentar do e mbështesim, është mirë që tani vendi ynë është në një pozicion që të implementojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese”- tha Hykmete Bajrami nga LDK.

“Përkundër mangësive, Aleanca do ta mbështesë në parim dhe do të japë kontributin e vet ndërmjet dy leximeve, me shpresë që amendamentet tona do të mbështeten edhe në Komisionin për Shëndetësi dhe nga ky Parlament”- u shpreh Shemsedin Dreshaj nga AAK.

Mbi 70 për qind e punëtorëve shqiptarë në sektorin publik, në administratë, polici, shëndetësi e institucione arsimore, shkencore e kulturore të Kosovës u përzunë me forcë nga puna nga administrata e dhunshme e Serbisë pas vitit 1990.  Që nga atëherë kontributet pensionale të punëtorëve kosovarë në vlerë mbi 1 miliard euro ende mbahen paligjshëm në Serbi.

Më 5 korrik 2023 Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale, duke iu njohur të drejtën personave që janë larguar nga puna para vitit 1999, që të marrin pension kontributdhënës.

Me këtë vendim, Qeveria do t’ua njohë kontributin pensional atyre punëtorëve që nuk i kishin 15 vjet përvojë pune dhe atyre që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës pas vitit 1990.

Miratohen ndryshimet në Ligjin për Pensionet, të larguarve nga puna para ’99 iu njihet e drejta për pension kontributdhënës