Qeveria e Kosovës. Foto: Zyra e kryeministrit në Facebook

Miratohen ndryshimet në Ligjin për Pensionet, të larguarve nga puna para ’99 iu njihet e drejta për pension kontributdhënës

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, duke iu njohur të drejtën e personave që janë larguar nga puna para vitit 1999, që të marrin pension kontributdhënës.

Deri më tash, sipas ministrit të Financave Hekuran Murati, për shkak të kushtit për stazh pune minimalisht prej 15 viteve, personat që janë larguar me dhunë nga puna para vitit 1999 kanë marrë vetëm pension bazik prej 100 eurove.

“Ligji parashihte që dikush që ka punuar deri në 1990 dhe ka pasur 10 vite kontribute, me ligjin aktual (deri më tash) merr vetëm pensionin bazik 100 euro, edhe dikush që ka pasur 14 vite e 11 muaj merr sikur ata që nuk kanë punuar fare. Me këtë ndryshim, dikush që ka pasur përvojë pune në 1990 dhe është larguar nga puna, atyre i njihet periudha 9 vjeçare, prej kur janë larguar nga puna deri në ’99, në mënyrë që ta plotësojnë këtë kushtin prej 15 viteve. Pra i kanë pasur 10 vite kontribut pensional dhe 9 vite që iu njohim me këtë ligj, bëhen 19 dhe plotësohet kushti 15 vjeçar” – ka thënë ministri Murati para gazetarëve.

Sipas tij, ndikimi vjetor buxhetor për këtë ndryshim pritet të jetë 60 milionë euro.

Ministri tha se ka qenë një diskriminim që është mbajtur deri më tash pragu prej 15 viteve.

“Ka pasur një diskriminim që është mbajtur pragu prej 15 viteve dhe nuk janë marrë parasysh rrethanat e largimin të dhunshëm, me këtë ne po e zhbëmjmë diskriminimin. Hiqet diskriminimi i prerjes që ndoshta dikush prej 1 muaj nuk ka arritur ta plotësoj kushtin prej 15 viteve”- tha ai.

Kurse kryeministri Albin Kurti tha se me këtë po bëhet reforma pensionale.

“Po e bëjmë reformën pënsionale, kjo skemë e zhduk dallimin e margjinalizimin, këtë duhet ta bëjë Republika e këtë duhet ta bëjmë së bashku”- tha ai para fillimit të mbledhjes së Qeverisë.

Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga Shteti, partia opozitare AAK e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pasi konsideronte se pikërisht neni 8 i këtij Ligji diskriminonte personat e larguar dhunshëm nga puna para viteve ’99.

Kjo Gjykatë në fund të vitit 2022, kishte marrë vendim që të largojë nenin 8 të Ligjit për Skemat pensionale. Ky nen përcaktonte se të gjithë punëtorët që nuk i kanë 15 vite punë para datës 1 janar 1999, nuk e gëzojnë të drejtën për pension kontributdhënës.

Tash ky Projektligj do t’i kalojë Kuvendit të Kosovës për miratim.

AAK: Gjykata Kushtetuese njeh të drejtën për pensionistët kontributdhënës para 1 janarit 1999