Ministrja Rizvanolli pyet qytetarët: A është e arsyeshme të konsumoni kaq shumë energji?

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pyetur qytetarët nëse është e arsyeshme të konsumohet kaq shumë energji elektrike marrë parasysh faktin që po blihet me çmim shumë të lartë.

“Konsumi i energjisë këto ditë në vendin tonë është më i larti i regjistruar ndonjëherë. Pyetja ime për të gjithë ju do ishte se sa është e arsyeshme të konsumojmë kaq shumë energji për ta paguar me çmime të larta”, tha ajo.

Në një konferencë për media bashkë me përfaqësues të KEK-ut, ajo dha disa detaje të luhatjes së çmimeve.

“Në rrethana normale, çmimi ka qenë 69 euro për megavat. Në kulmin e kërkesës për energji ka arritur në 351 euro. Situata më pas vetëm është përkeqësuar, më datë 21 dhjetor ka arritur në 420 euro për megavat orë në kërkesën bazë, derisa në kohën e pikut deri në 515 euro për megavat. Pra, kemi një shtatëfishim të çmimeve në krahasim me çmimin normal”, ka thënë Rizvanolli.

Për këtë situatë ministrja ia ka hedhur fajin edhe Serbisë, të cilën e ka akuzuar për bllokim të linjës energjetike.

“E kemi edhe një faktor që ndikon negativisht në gjendjen ku jemi. Serbia e ka bllokuar linjën energjetike, duke shkaktuar ngarkesa në rrjet. Si rezultat i kësaj ne jemi të kufizuar se edhe prej ku mund të blejmë energji. Përpos Kosovës nga kjo gjë është duke u dëmtuar edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria”, shtoi tutje Rizvanolli.