Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Nagavci: Nga viti i ardhshëm shkollor, edukimi parafillor i obligueshëm

Në konferencën e fundvitit për media, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci teksa ka prezantuar punën dhe sfidat përgjatë vitit 2023 të ministrisë që udhëheq, ka përmendur edukimin në fëmijërinë e hershme, edukimin parafillor.

Sipas ministres Nagavci, edukimi parafillor nga viti 2024 do të bëhet i obligueshëm.

“Me ligjin e ri, nga viti i ardhshëm shkollor edukimi parafillor bëhet i obliguar për të gjithë nxënësit dhe kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin apo rritjen e rezultateve dhe performancës së nxënësve tanë. Ligji ofron edhe një koordinim ndër sekotrial, edukim në familje, ushqyeshmëri, krijimin e menyve ushqimore, sigurimin e rregullimin e materialit didaktik, mentorimin e punës edukative, aftësimin e dadove, çasje holistike në edukimin në fëmijërinë e hershme” – ka deklaruar ministrja Nagavci.

Krahas miratimit të ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme në Kuvend, ministrja Nagavci ka thënë se kanë finalizuar kurrikulën për zhvillimin e edukimit në fëmijërinë e hershme.