Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Gërvalla deklarohet për raportimet për pagën e Gani Jakupit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka folur sot lidhur me raportimet për angazhimin dhe pagën e këshilltarit të jashtëm Gani Jakupi.

Gërvalla tha se Jakupi është i angazhuar në kuadër të një kontrate që sipas saj bazohet tërësisht në legjislacionin e Kosovës.

“Gani Jakupi është në kuadër të një kontrate e cila bazohet tërësisht në legjislacionin vendas e cila është një instrument i përdorur në mënyrë të vazhdueshme për të arritur disa objektiva që nuk mund të arrijmë në rrugë formale, diplomatike dhe prandaj Jakupi ka treguar rezultate të jashtëzakonshme”- tha ajo.

Gërvalla ka thënë se Jakupi nuk është këshilltar i saj.

“Gani Jakupi nuk merr pagë nga Republika e Kosovës, nuk është këshilltar i Donika Gërvallës, z. Jakupi ka një projekt të caktuar që bazohet në legjislacionin e vendit tonë që është i paraparë me buxhetin e Kosovës dhe në kuadër të kontratës, projektit ai jep ndihmën e tij”- shtoi Gërvalla.

Ajo tha se për shkak të konfidencialitetit të çështjeve ku Jakupi është i përfshirë, ajo nuk mund të flasë për temat ku ai është i angazhuar.

“Për shkak se konfidencialiteti i krijimit të marrëdhënieve me shtetet jo njohëse është shumë i ndjeshëm nuk mund të ju jap tema konkrete, mund të garantoj që objektivat ndaj Jakupit janë të qarta. Kërkesat janë legjitime, të domosdoshme”- tha tutje ajo.

Ministrja e Jashtme tutje ka folur edhe për reagimet e opinionit publik për këtë çështje.

“Kam një lutje nga të gjithë, duhet të mendojmë që njerëzit që i sulmojnë në mënyrë të padrejtë bazuar në supozime të pa vërteta kanë familje dhe nuk e meritojnë një trajtim të tillë”- tha Gërvalla në një prononcim për gazetarët.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në MPJD për të dhëna lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Mediat raportuan se Gani Jakupi i angazhuar si Këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike paguhet 7 mijë e 500 euro në muaj nga Ministria e Punëve të Jashtme.