Foto: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtis

Ministria paralajmëron vazhdimin e aksionit në supermarkete që ngritën çmimin e produkteve ushqimore

Dy depo të supermarketeve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë janë mbyllur përkohësisht.

Zv.kryeinspektorja e tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lebibe Haliti, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se këto depo janë mbyllur për shkak të mashtrimit të konsumatorëve me çmime joreale.

“Arsyet e mbylljes janë për shkak të mashtrimit të konsumatorëve me çmime joreale dhe në kundërshtim me ligjin dhe gjithashtu nuk e kanë prezantuar dokumentacionin lidhur me atë se me çfarë çmimi kanë blerë (produktet) dhe çmimin shitës dhe sa i kanë stoqet, pra shumë informacione që e kanë për obligim me kërkesë të Inspektoratit të Tregut nuk i kanë përcaktuar brenda afatit ligjor”, ka thënë Haliti për KALLXO.com

E pyetur lidhur me sasinë e vajit ushqimor të gjetur në këto depo, Haliti  tha se është gjetur sasi e mjaftushme e vajit por edhe produkteve tjera.

“Është gjetur sasi e mjaftueshme të vajit por kjo sasi dhe veprimet në treg e kanë pas kryesisht qëllimin e krijimit e përshtypjes për qytetarët për mungesë, por jo vetëm për vaj por edhe për produkteve tjera”, ka thënë Haliti për KALLXO.com.

Kryeinspektorja shtoi se Ministria e Tregtisë do të vazhdojë nesër inspektimin e bizneseve në të gjithë Kosovën.

“Inspektorati ka inspektuar shumë biznese, nesër do të vazhdojmë në të gjithë Kosovën kështu që askush nuk do t’i shpëtojë çfarëdo shkeljeje që bëhet në dëm të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës është parë sonte në deponë e njërit prej rrjeteve të supermarketeve në afërsi të Lipjanit.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në vendin e ngjarjes.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që kanë rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.

Ndërsa sot në Kosovë çmimi i vajit ka shkuar në 3.49 euro.

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar masa për marketet që, sipas tij, po rrisin artificialisht çmimin e vajit dhe të produkteve në përgjithësi.

Pasi vizitoi një fabrikë të vajit në Gjilan, Kurti tha se inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet që po ndodhin me çmime.