Ministria e Shëndetësisë: Të gjitha vaksinat kanë afat përdorimi, edhe ato nga Norvegjia

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se të gjitha vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë këtë javë donacion nga Mbretëria e Norvegjisë, kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.

“Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë”, thuhet më tej në njoftim.

Ministria po ashtu ka theksuar se Kosova është nga shtetet e rralla që nuk ka pranuar të marrë vaksina të paaprovuara nga Organizata Botërore për Shëndetësi.

“Duke u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë përmes platformës eKosova (https://ekosova.rks-gov.net/) për marrje të vaksinës kundër COVID-19, MSh rikujton faktin se Kosova është nga shtetet e rralla në rajon që nuk ka pranuar të marrë vaksina të pa aprovuara nga EMA dhe OBSh për përdorim kundër COVID-19”, thotë MSh.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu dje ka ngritur dyshime për afatin e përdorimit të vaksinave të ardhura si donacion nga Norvegjia.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se kanë pranuar 182 mijë e 900 doza të vaksinës AstraZeneca nga Norvegjia.

Rreth 183 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca nga Norvegjia

.