Ministria e Infrastrukturës: Pas reshjeve të borës, rrugët janë të kalueshme

Pas reshjeve të borës në Kosovë mbrëmjen e së hënës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale janë të kalueshme për qarkullim.

“Sipas informacioneve nga tereni nga të gjithë menaxheret e autoudhëve (autostradave), rrugëve nacionale dhe rrugëve regjionale të Republikës së Kosovës, të gjitha rrugët janë të kalueshme për qarkullim, pavarësisht konfiguracionit ku shtrihen ato”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë, kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje kanë intervenuar në orët e hershme të mëngjesit me pastrim dhe hedhje të kripës në shtresat qarkulluese të rrugëve.

Instituti Hidrometeorologjik ka bërë të ditur se kjo javë do të karakterizohet me mot kryesisht të vranët, me reshje shiu dhe bore.

“Reshjet e shiut do të fillojnë sot për të vazhduar gjatë natës, ditës së hënë dhe të martën. Në fushat termike do të ketë rënie sidomos në vlerat e temperaturave minimale. Këto reshje gjatë orëve të vona të ditës së hënë parashihen të shndërrohen në reshje dëbore”, ka bërë të ditur IHMK.

Deri të premten, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri në 4 gradë celsius, derisa ato maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 3-13 gradë celsius.