Thirrje për kujdes për ata që skijojnë dhe ngjisin bjeshkët këto dy ditë

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë ngjitjeve të bjeshkëve këtë fundjavë.

Kjo për shkak të reshjeve të dendura, të përcjella me erëra të fuqishme në Kosovë, sidomos në vise malore.

“Andaj të keni kujdes gjatë skijimit (jashtë shtigjeve të rregulluara) apo ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore nga 30°~50° , e sidomos në shtigjet apo kalimet e ekspozuara” – shkruhet në njoftim.

Pas reshjeve të borës, rekomandohet që të prisni për 48 orë të tranzicionit të shtresave të borës dhe të mos skijoni apo ngjiteni të vetmuar.

“Planifikoni itinerarin me kujdes dhe njoftoni të tjerët për atë! Kujdes gjatë skijimit në pyje, gropat e drunjve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse!” – ka këshilluar Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit.

Më tej thuhet se nëse zhvilloni aktivitete të ski-bjeshktarisë patjetër duhet të keni pajisjet obligative për siguri që janë transmetuesi, lopata, sonda, çanta e ndihmës së parë, helmeta, kazma, kthetrat, veshmbathja adekuate dimërore, telefoni i karikuar, llamba dhe pajisje të tjera.

Për çdo urgjencë kontaktoni në numrat: 112 dhe+383 49 84 02 28.