Foto: Edi Rama, Facebook

Edi Rama thotë se të gjitha kapacitetet janë në terren për të menaxhuar situatën me borën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se po punohet me të gjitha kapacitetet në terren për të menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e përkeqësimit të motit.

Rama thotë se po angazhohen për të siguruar furnizimin me energji elektrike dhe mbajtjen hapur të rrugëve.

“Mbi 1500 punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në 12 rajonet e vendit, janë angazhuar për të siguruar furnizimin me energji elektrike. Ndërkohë, Autoritetit Rrugor Shqiptar ka mobilizuar të gjitha grupet e punës për të siguruar mbajtjen hapur të akseve rrugore dhe garantuar siguri në lëvizje” – ka shkruar kryeministri shqitpar në Facebook.

Ai ka ftuar qytetarët që ta evitojnë lëvizjen e panevojshme, deri në normalizimin e situatës.

Reshjet e borës në Shqipëri kanë krijuar probleme me bllokim të disa rrugëve dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Bashkia e Fushë-Arrëzit ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të këtyre reshjeve.