Fotografi/ facebook

Ministria e Infrastrukturës do t’i mirëmbajë gjatë dimrit rrugët në katër komunat në veri

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të kujdeset për mirëmbajtjen dimërore të të gjitha rrugëve lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq.

Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri Hysen Durmishi.

Ai ka njoftuar se sot është nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

“Të gjitha rrugët në veri do t’i mirëmbajë MMPHI. Sot kemi nënshkruar memorandum mirëkuptimi me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit. Ministria ka marrë përsipër mirëmbajtjen dimërore të të gjitha rrugëve lokale në këto katër komuna” – ka shkruar Durmishi në “Facebook”.

Ndërsa ka thënë se gjatësia totale e këtyre rrugëve që do të mirëmbahen është mbi 300 kilometra.