Ministria: 26-vjeçari dyshohet se ka rënë nga kati V i konviktit

Ministria e Shëndetësisë është deklaruar lidhur me vdekjen e 26-vjeçarit, i cili dyshohet se ka rënë nga konvikti në Qendrën e Studentëve.

Ministria ka bërë të ditur se rreth orës 17:16 ekipi menaxhues i karantinës është njoftuar nga një zyrtar i Policisë së Kosovës në Qendrën e Studentëve se një person është gjetur në oborrin e konviktit nr. VII, me dyshim se ka rënë nga kati V-të.

“Menjëherë personeli mjekësor i Karantinës së Qendrës së Studentëve ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë personit në fjalë ndihmën e parë si dhe e ka njoftuar emergjencën”, thuhet në njoftim.

“Në vendin e ngjarjes personi është reanimuar nga ekipi mjekësor i Karantinës deri në arritjen e autoambulancës me ekipin mjekësor, të cilët, gjithashtu, kanë vazhduar me reanimim edhe gjatë transportimit të tij për në Klinikën Emergjente të QKUK-së. Personi ka vazhduar të reanimohet edhe në Klinikën Emergjente nga ekipet kujdestare, të cilët e kanë vazhduar kujdesin e avancuar. Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e mjekëve në Klinikën e Emergjencës, personi nuk ka mbijetuar”, thuhet në komunikatë.

MSh ka deklaruar se organet e hetuesisë janë duke u marrë me sqarimin e rrethanave të vdekjes.

Ministria e Shëndetësisë ka shprehur keqardhjen e thellë për këtë rast tragjik dhe i shpreh familjes së të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre.

Konviktet në Qendrën e Studentëve janë shndërruar në karantinë që nga paraqitjet e rasteve të para të të sëmurëve me COVID-19 dhe menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Aty janë të vendosur dhjetëra qytetarë të Kosovës, të cilët kanë ardhur nga vendet e jashtme si masë e parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Viktima është 26-vjeçar nga Komuna e Gjilanit.

Vdes një person, dyshohet se ra nga konvikti