Vdes një person, dyshohet se ra nga konvikti

Një person ka vdekur pasi dyshohet se ka rënë nga një prej konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Nga burimet e Qendrës kemi konfirmimin se ka vdekur pacienti. Pavarësisht përpjekjeve nuk ka arritur që t’i mbijetojë plagëve”, ka thënë për KALLXO.com Basri Lenjani drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.

“Viktima është sjellë në QKUK në ora 17 :30 dhe ka vdekur në 17 :45”, ka thënë Lenjani.

Sipas Policisë, sot rreth orës 17:20, ekipet e Emergjencës dhe Policia kanë shkuar te Qendra e Studentëve dhe nje person është përcjell me autoambulancë në drejtim të Klinikës Emergjente.

“Njësitet e Policisë dhe Forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore do të sqarohen rrethanat tjera “, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Konviktet në Qendrën e Studentëve janë shndërruar në karantinë që nga paraqitjet e rasteve të para të të sëmurëve me COVID-19.

Aty janë të vendosur dhjetëra qytetarë të Kosovës, të cilët kanë ardhur nga vendet e jashtme si masë e parandalimit të përhapjes së pandemisë.