Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Selimi tregon si përfundoi Enis Qerka si këshilltar i tij

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi thotë se Enis Qerka, i cili ishte arrestuar për narkotikë në vitin 2018, ishte emëruar si këshilltar i jashtëm i tij, njësoj si janë emëruar të gjithë këshilltarët e tjerë.

“Emërimet mund të vijnë nga burime të ndryshme, por diskrecioni është i imi. Ashtu si kanë ardhur këshilltarët e tjerë ka ardhur edhe Qerka”, tha Selimi përballë Kreshnik Gashit.

Selimi tha se reflektimi i mediave dhe organizatave në lidhje me Enis Qerkën kanë bërë që ai ta lirojë atë nga pozita e këshilltarit të tij të jashtëm.

“Sa i përket legalitetit të këtij emërimi është gjithçka e pastër pasi që personi në fjalë nuk ka pasur aktvendim të hetimeve, ka pasur të hedhur. Nuk ka pasur aktakuzë edhe është bërë një vendim për të emëruar këshilltar të jashtëm pa pagesë që nuk e dëmton buxhetin e shtetit”, tha Selimi.

 

Selimi tha se në këtë situatë askush nuk ka pësuar dëme përpos dëmit publik që i është shkaktuar vetë atij.

Ai tha se në lidhje me këtë çështje ka kërkuar llogari edhe nga arkiva, edhe nga Zyra e Mediave se pse është vonuar që Enis Qerka të dalë në web-faqen e Ministrisë.

Ndërsa në lidhje me qëndrimin e tij në punë, Selimi tha se me sa di Qerka ka ushtruar pozitën e këshilltarit një javë në Ministri.

Ministri i Drejtësisë e kishte liruar nga detyra këshilltarin e tij të jashtëm Enis Qerka pasi që mediat kishin raportuar se i njëjti ishte i arrestuar për  posedimin e substancave narkotike.

Enis Qerka ishte arrestuar në vitin 2018 së bashku me një grup nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë narkotikë, që dyshohet të jetë heroinë.

Ky grup dyshohej për përfshirje në dhënien e ndihmës personave të cilëve nga Policia e Kosovës u janë gjetur tri valixhe me substanca narkotike që dyshohet të jetë heroinë.

Sasia e drogës e kapur nga forcat e rendit të Kosovës është 113 kilogramë.