Ministri Rashiq votoi kundër shpalljes së ‘Mbrojtjes Civile’ dhe ‘Brigadës së Veriut’ organizata terroriste
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka votuar kundër propozimit të Qeverisë, për shpalljen e organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Vriut’ si organizata terroriste.
Në fjalën e tij para kabinetit qeveritar, Rashiq tha se konsideron se për momentin një vendim i tillë është i ngutshëm nga ana e Qeverisë dhe që mund të ketë pasoja për qytetarët në veri.
“Ju lus nëse ka mundësi edhe njëherë që të mendoni, edhe ju zoti kryeministër edhe njëherë ta shohim këtë propozim dhe vendim. Ky vendim në këtë moment do të ishte me pasoja për qytetarët në veri” – tha Rashiq.
Ai tha se e përkrah kornizën e Qeverisë për luftimin e terrorizmit dhe të ekztremizmit, por sipas tij, duhet të ketë shumë kujdes në këtë moment.
“Duhet t’i bindim qytetarët tonë që ne çka punojmë është në interes të tyre, pa marrë parasysh se vetë korniza për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit unë iu garantojë që ka përkrahjen time, por nga ana tjetër disa propozime janë të ngutura dhe mendojë që duhet të ecim shumë më kujdes. Ju duhet të kuptoni që në veri ekziston një vakuum që 22 – 23 vite. Ato gafet kërkojnë më shumë kohë dhe më shumë afrime shkallë-shkallëshe” – ka thënë ndër të tjera Rashiq.
Kabineti qeveritar sot ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale Mbrojtja Civile dhe komponenta e saj Brigada e Veriut, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
“Për këtë nisur nga fakti që kërcënimi ndaj rendit kushtetues është i pakompromis e duke u pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, nga veprimet me elemente terroriste, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, sulmi ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politik, thirrje për rezistencë dhe mos bindje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm përmes zjarrvënies ndaj pronave, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta e barrikada, organizimi dhe pengimi i vendimeve të institucioneve të rendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe të misioneve në Kosovë, kanosje dhe frikësim, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor”- ka deklaruar Kurti.