Qeveria e Kosovës shpallë si organizata terroriste organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’

Kabineti qeveritar sot ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale Mbrojtja Civile dhe komponenta e saj Brigada e Veriut, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

“Për këtë nisur nga fakti që kërcënimi ndaj rendit kushtetues është i pakompromis e duke u pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, nga veprimet me elemente terroriste, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, sulmi ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politik, thirrje për rezistencë dhe mos bindje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm përmes zjarrvënies ndaj pronave, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta e barrikada, organizimi dhe pengimi i vendimeve të institucioneve të rendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe të misioneve në Kosovë, kanosje dhe frikësim, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor”- ka deklaruar Kurti.

Ai tha se institucionet e vendit janë vazhdimisht duke u përpjekur për kundërvënie ndaj aktiviteteve të këtyre formacioneve për të parandaluar pasojat, si për qytetarët por edhe pjesëtarëve të institucioneve vendore e ndërkombëtare në vend.

“Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës. Niveli i kërcënimit dhe rrezikut nga këto formacione ilegale është i lartë. Institucionet e Kosovës janë vazhdimisht duke u përpjekur për kundërvënie ndaj aktiviteteve të këtyre formacioneve për të parandaluar pasojat si për qytetarët por edhe pjesëtarëve të institucioneve vendore e ndërkombëtare në vend”- u shpreh Kurti.

Dy organizata të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë gjatë të premtës së javës kaluar në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.

Për këto dy organizata që funksionojnë në veri Kosovës, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, pati thënë se do të kërkoj që të shpallen terroriste.

Ministri Sveçla do të kërkoj që “Brigada e Veriut e “Mbrojtja Civile” të shpallen organizata terroriste