Foto: ZKM

Ministri Murati thotë se gjatë vitit 2022 u shtuan mbi 7 mijë vende pune në sektorin e prodhimit dhe përpunimit

Ministri i Financave, Hekuran Murati thotë se në vitin 2022 janë shtuar 7 mijë e 48 vende pune në sektorin e prodhimit dhe përpunimit.

Sipas Muratit, përmes programit të ringjalljes ekonomike, kanë mbështetur prodhuesit me shumë masa.

“Furnizim me energji elektrike të subvencionuar, disafish më lirë se rajoni; Shtim të kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, dhe mbulim të tarifave për garantimin e kredive; Subvencionim të kredive investuese për zgjerim të kapaciteteve prodhuese; Mbështetje në trajnimin e stafit, marketing e brendim, dhe pjesëmarrje në panaire brenda e jashtë vendit; Grante për bashkëfinancim të pajisjeve; Rritje e subvencioneve për produktet bujqësore; Subvencion për punësimin e grave; Subvencionim për punësimin e të rinjve”- janë masat të cilat i ka përmendur Murati.

Ministri thekson se ka edhe shumë veprime tjera mbështetëse që sipas tij janë lehtësimi i procedurave e barrës administrative përmes dixhitalizimit, apo edhe luftimi i kontrabandës e informalitetit.