Ministri Murati: Ligji i Pagave nuk bën rritje të pagave

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Ligji për Pagat nuk bën rritje të pagave.

Gjatë debatit parlamentar, ministri tha se Qeveria është e interesuar të miratohet ky Ligj.

“Në lidhje me këtë temën e debatit, i kemi dy çështje që pak a shumë mund t’i nxjerrim prej kësaj, e para është që duhet të kemi një Ligj të pagave. Ne si Qeveri jemi më të interesuar se ju ta kemi atë Ligj të pagave sepse me të, siç edhe u tha në fillim pastaj po devijon, Ligji i pagave bën nivelizimin dhe harmonizimin e pagave në sektorin publik, nuk bën rritje të pagve, këtë duhet ta kemi të qartë”, tha ai.

Murati shtoi se në Ligjin paraprak të pagave që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ka pasur defekte të mëdha.

Më 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shfuqizuar Ligjin për Pagat. Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në sektorin publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.