Ministri Maqedonci e njofton deputeten britanike Kearns për 'militarizimin e vijës kufitare' nga ana e Serbisë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është takuar me kryesuesen e Komitetit për punë të jashtme të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns në kuadër të Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë.

Ministri Maqedonci ka falënderuar Kearns për angazhimin e pakursyer të saj ‘për të prezantuar të vërtetën për Kosovën dhe kërcënimet që i vijnë vendit nga strukturat e organizuara terroriste dhe para-ushtarake’.

Maqedonci thuhet se e njoftoi Kearns për situatën aktuale dhe rrezikun që paraqet militarizimi i vijës kufitare nga ana e Serbisë si dhe mbështetja e aktiviteteve të grupeve terroriste nga ana e institucioneve të sigurisë të Republikës së Serbisë.

“Në fund, diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës. Në këtë takim, znj. Kearns u zotua se do të rrisë maksimalisht angazhimin dhe do të shfrytëzojë ndikimin e saj për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Deputetja britanike, Alicia Kearns në javën e fundit të muajit tetor vizitoi Kosovën.

Kearns në një intervistë për KALLXO.com kishte folur rreth sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke shtuar se një shtet i jashtëm është duke kryer hetime për sulmin.