Ministri i ri Shëndetësisë kërkon nga qytetarët që të vaksinohen

Përmes një video incizimit ministri i ri i shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër Coronavirusit.

“Mos të harrojmë që COVID-i nuk ka ikur, është këtu në mesin tonë me një variant apo variant tjetër, Delta apo variant tjetër, andaj ju lutem vaksinohuni”, ka qenë ftesa e ministrit Latifi për qytetarët nga qendra e vaksinimit në Prishtinë.

Ai thotë se vetëm duke u vaksinuar do të mund t’i mbajnë shkollat dhe bizneset hapur si dhe do të mund të lëvizim të lirë.

“Ne do t’i ofrojmë ekipet mobile edhe në vendet më të larta që t’i bëjmë të mundshme vaksinimin”, thotë tutje.

Ministri po ashtu ka falënderuar stafin shëndetësor për punën e bërë gjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë, duke i cilësuar ata si heronj të pandemisë.

Interesimi për vaksinimi ka rënë dukshëm javëve të fundit.

Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se 1 mijë e 748 qytetarë janë vaksinuar kundër COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, përderisa nga 7 qershori, kur ka filluar vaksinimi me doza të dyta të vaksinave kundër Coronavirusi e deri më tani janë vaksinuar 754 mijë e 429 qytetarë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëm pas marrjes së dy dozave të vaksinës kundër Coronavirusi një person konsiderohet i vaksinuar komplet.

Në anën tjetër vendet e rajonit dhe në botë kanë filluar të marrin edhe dozën e tret të vaksinës kundër SARS-CoV-2, sipas ministrisë së shëndetësisë shumë shpejtë edhe në Kosovë do të fillohet marrja e dozës së tret të vaksinave.