QKMF Qendra - Prishtinë

Sfidat e mjekësisë familjare, projekti do testohet fillimisht në katër komuna

Që nga data 9 janar, Ministria e Shëndetësisë ka filluar me planin e veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve për kujdesin parësor shëndetësor.

Kjo do të thotë që tash qytetarët e 4 komunave, ajo e Prishtinës, Prizrenit, Istogut e Lipjanit do të mund të zgjedhin mjekun familjar, përmes platformës E-Kosova.

Ndonëse ky fillimisht është vetëm pilot projekt në këto katër komuna, parashihet që të shtrihet në tërë Kosovën pas 6 muajsh.

Drejtori i QKMF-së në kryeqytet, Bujar Gashi ka thënë se janë duke e përcjellë për së afërmi këtë proces.

“Përzgjedhja e mjekut familjar është proces shumë i rëndësishëm për Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe përmes pilotimit në këto dy QMF dhe pas shtrirjes në të gjitha institucionet KPSh-së, DKSH dhe QKMF në Prishtinë do të kenë të dhënat për listat e krijuara të banorëve për mjek familjar, numrin e banorëve të cilët mbesin pa përzgjedhur mjekun familjar në mungesë të tyre dhe njëkohësisht nevojat për mjekë familjar që duhet shtuar përmes grantit specifik për shëndetësinë primare duke ia mundësuar secilit qytetar përzgjedhjen e mjekut familjar bazuar në Ligjin për Shëndetësi dhe UA 04/2020 Kujdesi Parësor Shëndetësor”- ka thënë Gashi.

Ndërsa nga komuna e Lipjanit kanë thënë se janë në fazën e fillimit të kampanjës informuese për qytetarët dhe për personelin mjekësor.

“Nga Komuna e Lipjanit janë caktuar 29 mjekë. Nga ky numër 21 janë mjekë familjar dhe 8 mjekë të përgjithshëm,

Qëllimi është të shohim se si do të funksionoj kampanja informuese dhe përzgjedhja e mjekut nga pacienti. Konsideroj që do të hasim në vështirësi në fillim, por me kalimin e kohës mendoj që ky projekt mund të funksionoj. Sigurisht që kërkohet informim i mirë dhe bashkëpunim në mes të institucioneve shëndetësore dhe qytetarit”- tha Shkelzen Hajdini, drejtor i Shëndetësisë në komunën e Lipjanit.

Besim Kodra nga Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve këtë e ka quajtur si ngjarjen më të rëndësishme që ka ndodhë në shëndetësinë e pasluftës.

“Tash, 2500 qytetarë përcaktohen për një mjek familjar. Në vazhdimësi trajtohen tek ai. Nuk e ndërrojnë më. Vizitat bëhen me termine, përcaktohet koha kur pacientët shkojnë tek mjeku dhe kanë kontrolle periodike, edhe nëse nuk janë të sëmurë”- tha Kodra.

Kodra ka thënë se sfidë për realizimin e këtij projekti mbetet numri i vogël i mjekëve familjar krahasuar me numrin e popullsisë në Kosovë.

“Si çdo projekt tjetër, edhe ky ka të metat e tij, pasi që nuk kemi mjaftueshëm mjekë familjar, siç është e paraparë një mjek për 2000 banorë. Megjithatë, duke llogaritur se Kosova ka një popullsi të re në moshë, numri prej 2000 veta për një mjek duhet të rritet, në mënyrë që të ketë mbulueshmëri për të gjithë qytetarët. Në fund të këtij pilotimi, do të kuptohen më mirë edhe problemet e tjera. Në mënyrë që të mos përsëritet projekti për të gjithë Kosovën”- tha tutje Kodra.

Ndër sfidat kryesore që Ministria e Shëndetësisë e ka cilësuar është mosndërlidhja e regjistrit civil me regjistrin e adresave.

“Ende nuk është funksionale platforma elektronike për ndërlidhjen e qytetarit me adresë unike zyrtare, atëherë grumbullimi i të dhënave të qytetarëve për zonat përkatëse do të bëhet nga ARC konform vendbanimeve dhe vend-qëndrimeve të tyre të përcaktuara me ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim”- thuhet në vendimin e MSH-së për planin e veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrimin e banorëve për kujdesin parësor shëndetësor.

Në këtë plan të veprimit, MSH-ja ka publikuar edhe një tabelë ku sipas saj, në 38 komunat e vendit, janë 552 mjekë familjar dhe 1664 infermierë familjar, të dhëna këto nga viti 2021.

Kosova ka 38 komuna me 1 mijë e 469 vendbanime. Sipas vlerësimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për vitin 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë është 1 milion e 773 mijë e 971. Mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është 30.2 vjet. Bazuar në të dhënat e popullsisë, rreth 62% jeton në zonat rurale kurse 38% bë zonat urbane.