Ministri i Financave në Kiev: Ukraina mund të llogarisë në Gjermaninë
Presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të dijë fort mirë se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën nuk po pakësohet, ka deklaruar të hënën ministri i Financave dhe zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil, me të arritur në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, në një vizitë të paparalajmëruar, raporton Reuters.
“Putini nuk duhet të ketë iluzione se përkrahja e Gjermanisë për Ukrainën mund të shkatërrohet”, ka theksuar Klingbeil, kreu i Partisë Socialdemokrate (SPD) që është partneri i vogël në qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga konservatorët e kancelarit Friedrich Merz.
“Përkundrazi: Ne mbetemi mbështetësi i dytë më i madh i Ukrainës në të gjithë botën dhe më i madhi në Europë”, ka thënë Klingbeil. “Ukraina mund të vazhdojë të llogaritë te Gjermania”.
Klingbeil i ka kërkuar Putinit të tregojë interes për procesin e paqes në luftën më vdekjeprurëse të Europës në 80 vjet që shpërtheu në shkurt të vitit 2022.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë presion për përfundim të shpejtë të luftës, por Kievi dhe aleatët e tij janë të shqetësuar se ai mund të mundohet të detyrojë arritjen e një marrëveshjeje sipas kushteve të Rusisë.
Klingbeil ka deklaruar se Ukraina duhej të përfshihej në bisedime dhe se duhej të kishte një armëpushim dhe garanci të besueshme sigurie për paqe të qëndrueshme.
“Për këtë qëllim, ne po koordinohemi ngushtë ndërkombëtarisht”, ka theksuar ai.
Midis opsioneve të paraqitura javën e kaluar për sigurinë e Ukrainës pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje, si presidenti francez, Emmanuel Macron, si dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, mbështetën vendosjen e trupave si pjesë e një koalicioni të të vullnetshmëve.
Merz gjithashtu ka sinjalizuar hapjen ndaj pjesëmarrjes së Gjermanisë, por do të përballet me një reagim të ashpër si nga brenda ashtu edhe nga jashtë spektrit të tij politik për këtë çështje.
Sipas ministrisë së Klingbeil, qeveria gjermane ka mbështetur Ukrainën me 50.5 miliardë euro që nga fillimi i luftës.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com