Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Agim Veliu deklarohet për veturat e MPB-së në Podujevë

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu i ka quajtur gënjeshtra dhe dezinformata pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se vetura të MPB-së, po keqpërdoren për procesin e zgjedhjeve në këtë komunë.

Veliu në një prononcim për KALLXO.com tha se veturat janë në shfrytëzim të KQZ-së.

“Komenti im është që Vetëvendosja nga frika sigurisht bën dezinformata të tilla, gënjeshtra, sikurse ata dijnë, propaganda. E vërteta është se ato vetura janë në shfrytëzim të Komisionit Qendror Zgjedhor. Janë vetura zyrtare, që janë në shfrytëzim të KQZ-së. Pyeteni Valdete Dakën ajo mund të jua sqaroj më mirë”, tha ministri për KALLXO.com.

Për këtë çështje është deklaruar edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Kemi kërku vetura nga Qeveria, nga Ministria e Administratës Publike dhe ata na kanë leju shfrytëzimin e 16 veturave, të cilat janë me llogo të KQZ-së dhe shfrytëzohen nga stafi i autorizuar i KQZ-së”, ka thënë Daka në një prononcim për RTV Dukagjini.

Sipas saj, veturat janë dorëzu nga MPB-ja dje dhe sot janë duke u shfrytëzu nga stafi i autorizuar i KQZ-së.

VV pretendon se vetura të MPB-së po keqpërdoren për procesin e zgjedhjeve në Podujevë