Menaxhmenti i Telekomit u shkruan letër deputetëve

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës u ka dërguar letër deputetëve të Kuvendit.

Kështu njoftoi kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani gjatë seancës.

“Në ndërkohë ju ka ardh një letër. Ju njotoj që letra është nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës. Mund ta shihni. Është kërkuar që të informohen të gjithë deputetët lidhur me përmbajtjen”, tha ajo.

Ndërkohë nuk janë bërë të ditura, detajet e kësaj letre.

Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Z-Mobile, pronë e Blerim Devollit,  thonë se ata janë pala e dëmtuar në këtë rast, e jo Telekomi.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.