Logo e kompanisë "Z-Mobile" - Foto: facebook

Lajmërohet Z-Mobile: Jemi palë e dëmtuar

Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Z-Mobile, pronë e Blerim Devollit,  thonë se ata janë pala e dëmtuar në këtë rast, e jo Telekomi.

“Sulmet kundër “Z-Mobile” janë të qëllimshme për të fshehur fajtorin e vërtetë të sjelljes së kësaj situate. Sigurisht, “Z-Mobile” nuk është fajtori. Është pala e dëmtuar. Si e tillë ka ndjekur rrugët ligjore për kompensimin e dëmit të shkaktuar ndër vite”, thuhet në reagimin e kompanisë ‘Dardafon.net LLC’.

Z-Mobile thotë se janë detyruar të ndjekin të gjitha rrugët ligjore duke përfshirë përmbarimin, meqë Telekomi i Kosovës nuk ka treguar gatishmërisë për pagesën e borxhit nga vendimi i Arbitrazhit.

Sa i përket bllokimit të llogarive, Z-Mobile thotë se është cështje e zbatimit të ligjit për Përmbarim.

“Ligji për Përmbarim i parasheh procedurat e përmbarimit të detyrueshëm, në rast se Debitori nuk e paguan borxhin vullnetarisht. Mungesën e vullnetit për ta bërë një gjë të tillë e kanë dëshmuar tash e tri vjet. Prandaj, tani kjo është procedurë përmbarimore dhe afatet e përmbarimit janë afate ligjore”, thuhet në komunikatën e Z-Mobiles.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar se kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Marrëveshja e arritur në vitin 2017 ishte zbatuar pjesërisht. Më vonë, Telekomi i Kosovës ju ka referuar se borxhi i mbetur nga Z-Mobile është rreth 25 milionë euro, mirëpo asnjëherë nuk i kanë publikuar detajet e uljes së borxhit.

Në vitin 2019, Telekomi i Kosovës kishte vendosur të mos e vazhdojë më kontratën me Dardafone për operatorin virtual Z-Mobile.

Pas këtij vendimi, në nëntor të vitit të kaluar Z-Mobile kishte paralajmëruar padi të re kundër Telekomit të Kosovës.

Reagimi i plotë i kompanisë ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’

Po bëhen thuajse dy javë që kompania “Z-Mobile”, si palë e dëmtuar tash e disa vjet, ka heshtur përballë sulmeve të qëllimshme dhe vazhdueshme për shkak të situatës së krijuar pas lejimit të përmbarimit të borxhit që Telekomi i Kosovës.

Për çudi askush nuk ka kërkuar një opinion nga ne rreth kësaj çështje.

Këto sulme janë të qëllimshme drejt kompanisëDardafone.net, siç njihet me emrin tregtar “Z-Mobile” për të fshehur fajet dhe përgjegjësitë e të tjerëve karshi situatës së krijuar pas vendimit përfundimtar të Gjykatës që lejon përmbarimin dëmit që na është shkaktuar si pasojë e moszbatimit të kontratës për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile virtuale.

Për hir të informimit të drejtë të qytetarëve, “Z-Mobile” vazhdimisht ka kërkuar nga Telekomi i Kosovës që të zbatojë detyrimet e saj që rrjedhin nga kontrata dhe vendimi i Arbitrazhit në Londër.

Por, asnjëherë nuk ka marrë përgjigje meritore për shmangiene kësaj situate detyruese që me anë të përmbaruesit të realizojë kompensimin e këtij dëmi.

Faktet e shkruara dëshmojnë vullnetin tonë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

“Dardafon.net LLC”, e njohur me emrin tregtar “Z-Mobile” me 13 prill të vitit 2015 ka iniciuar procedurën e arbitrazhit kundër Telekomit te Kosovës, për shkak të shkeljes së kontratës nga pala e paditur.

Padia në arbitrazh ka pasur të bëjë me mosofrim të Sim kartela, numra të rijnë dhe shërbime të internetit 3 dhe 4 G, si dhe degradimin e shërbimeve.

Tribunali i Arbitrazhit, pas një procedure që zgjati rreth dy vjet, me 9 dhjetor 2016 nxori vendimin përfundimtar me të cilin vërtetoi shkeljen e dispozitave të kontratës dhe shkaktimin e dëmit nga ana e Telekomit të Kosovës, kompanisë “Z-Mobile”.

Telekomi i Kosovës, i pakënaqur me vendimin  Arbitrazhit, në bazë të procedurave ushtroi ankesë në Gjykatën e Lartë Mbretërore me seli në Londër, e cila në maj të vitit 2017 e vërtetoi vendimin e Arbitrazhit dhe vendosi në favor të “Z-mobile”.

Pavarësisht vendimit përfundimtar dhe të paapelueshëm, Telekomi i Kosovës nuk tregoi asnjëherë gatishmëri që ta ekzekutojë këtë vendim, detyroi Dardafon.net (Z-Mobile) të iniciojë procedurën e njohjes dhe ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike dhe ajo e Apelit e kanë njohur si të ekzekutueshëm Vendimin përfundimtar të Arbitrazhit. Ky vendim është bëre i plotfuqishëm me 1 prill 2019.

Me gjithë lutjet tona për të shlyer detyrimet, Telekomi nuk e ka bërë një gjë të tillë, ani se e ka ditur se secila ditë që kalon është në dëm të ndërmarrjes publike për shkak të kamatave ligjore.

Pos që nuk kanë treguar vullnet për të shlyer detyrimet, vazhdimisht ka bërë veprime që pengonin një gjë të tillë.

Prandaj, në mungesë te gatishmërisë se Telekomit për pagesën e borxhit nga vendimi i Arbitrazhit, “Z-Mobile” u detyrua të iniciojë procedurën e përmbarimit me datë 7 Korrik të vitit 2019.

Duke e ditur se nuk ka asnjë bazë ligjore, Telekomi i Kosovës ushtroi prapsim kundër këtij propozimi për përmbarim, vetëm e vetëm që ta prolongojnë shlyerjen e borxhit.

Se nuk ishte i bazuar në ligj ky prapsim, e vërtetoi Gjykata e cila hodhi poshtë këtë veprim të Telekomit, duke lejuar përmbarimin.

Me 6 korrik të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që të lejohet përmbarimi.

Ligji për Përmbarim i parasheh procedurat e përmbarimit të detyrueshëm, në rast se Debitori nuk e paguan borxhin vullnetarisht. Mungesën e vullnetit për ta bërë një gjë të tillë e kanë dëshmuar tash e tri vjet.

Prandaj, tani kjo është procedurë përmbarimore dhe afatet e përmbarimit janë afate ligjore.

Sulmet kundër “Z-Mobile” janë të qëllimshme për të fshehur fajtorin e vërtetë të sjelljes së kësaj situate.

Sigurisht, “Z-Mobile” nuk është fajtori. Është pala e dëmtuar. Si e tillë ka ndjekur rrugët ligjore për kompensimin e dëmit të shkaktuar ndër vite.

Sinqerisht,

“Z-Mobile”