Meloni: Kërkuam nga Kurti dhe Vuçiq t'i zbatojnë marrëveshjet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh.
Ata u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.
“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane pas takimit që u zhvillua në margjina të një samiti të BE-së.
Derisa Kurti dhe Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se përgëzon kryeministrin e Kosovës “për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit, si një kuadër për negociatat vijuese”.
“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Rama në platformën X.