Mehaj: Deklaratat e Vuçiqit dhe Bërnabiqit, me tentim destabilizimin e veriut të Kosovës, janë të papranueshme

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit serb dhe kryeministres serbe për zhvillimet në veri.

Mehaj ka thënë se i vetmi zhvillim i Serbisë këto 23 vite është përditësimi i politikës së Millosheviqit me metodat ruse të luftës hibride.

“Deklaratat e Vuçiqit dhe Bërnabiqit, me tentim destabilizimin e veriut të Republikës së Kosovës janë plotësisht të papranueshme. Periudhës së shantazheve, kërcënimit, i ka ardhur fundi”- ka thënë Mehaj.

Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha autoritetet dhe institucionet e sigurisë, do të zbatojnë veprime në përputhje me ligjshmërinë.

Mehaj ka thënë se nuk do të lejohet më veprimi i grupeve kriminale serbe që udhëhiqen nga Beogradi

“Dorëheqjet e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Policia e Republikës së Kosovës si dhe deklaratat e autoriteteve serbe për dërgimin e trupave ushtarake brenda territorit të Republikës së Kosovës, flasin shumë për një mendësi që vazhdon të funksionoj bazuar në politikën Millosheviqiane e edhe ruse, që don kaosin e edhe luftën, por që është fantazi e një mendjeje të sëmurë, e parealizueshme në realitetin e çdo shteti që është ndërtuar mbi bazën e vlerave demokratike evropiane dhe vullnetin e popullit”- ka shtuar ministri Mbrojtjes.

Ai tutje ka thënë se Republika e Kosovës synon të ardhme demokratike dhe prosperuese si pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, çdo përshkrim tjetër nuk përkon me realitetin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”.

Madje ai ka thënë se serbët janë detyruar t’i ngrenë barrikadat.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se serbëve po u kushtohet vemendje vetëm kur po vendosin barrikada.
Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike ka vendosur të shtyjë për më 23 prill 2023 zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë dhe kuvendet komunale të 4 komunave të veriut.

Vendimin e kanë përshëndetur vendet e QUINT-it.