Ilustrim

Më shumë se 20 të vdekur pas përmbysjes së anijes turistike në Indi

Një varkë dykatëshe me më shumë se 30 turistë u përmbys në një plazh në jug të Indisë të dielën mbrëma, duke lënë të paktën 22 të vdekur, përfshirë fëmijë, thanë zyrtarët e atjeshëm.

Shkaku i përmbysjes nuk është bërë menjëherë i qartë, mirëpo ka nisur një hetim lidhur me këtë incident.

Incidenti ndodhi në Tanur, një qytet bregdetar në rrethin Malappuram të Kerala. Operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës janë në zhvillim e sipër.

Dhjetra njerëz kërkuan për të mbijetuar brenda dhe rreth anijes, disa duke përdorur litarë për ta stabilizuar varkën gjysmë të zhytur dhe të tjerë që janë futur në ujë për t’i kontrolluar dritaret. 

Të paktën katër persona janë dërguar në spital në gjendje kritike, sipas Press Trust of India. Botimi lokal Onmanorama raportoi se 11 persona nga një familje, duke përfshirë tre fëmijë, kanë vdekur në këtë aksident.

Të mbijetuarit e incidentit u kanë thanë mediave lokale se shumica e pasagjerëve nuk kishin veshur jelek shpëtimi; Udhëzimet e qeverisë indiane kërkojnë që ato të jipen.

Aksidentet me varkë janë të zakonshme në Indi, ku anijet shpesh janë të mbipopulluara, të mirëmbajtura keq ose me mungesë të pajisjeve adekuate të sigurisë.

Në shtator të vitit 2019, një duzinë pasagjerësh u mbytën kur një varkë turistike u përmbys në lumin Godavari në shtetin jugor të Andhra Pradesh. Një vit më vonë, 11 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u mbytën pasi një varkë u përmbys në lumin Chambal në Kota, Rajasthan./Deutsche Welle