Shqipëri, mbeti i bllokuar nga bora në Valbonë, shpëtohet një turist nga Kosova

Policia e Shqipërisë njofton se një turist nga Kosova kishte mbetur i bllokuar në një terren tejet të thepisur dhe me borë në bjeshkët e Doberdolit.

Sipas njoftimit, Policia e Tropojës, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, i kanë dalë në ndihmë turistit.

Policia thotë se rreth orës 11:00, Emergjencat Civile të Kosovës kanë njoftuar se tre turistë nga Kosova, duke eksploruar Alpet e Valbonës, me motorë bore, kishin mbetur të bllokuar, për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, kanë organizuar punën dhe kanë nisur kërkimet, me qëllim lokalizimin e turistëve”- thuhet në njoftim.

Policia tregon se pas disa orësh kërkime, në vendin e quajtur “Ura Pojanes”, është lokalizuar turisti që kishte mbetur i bllokuar, ndërsa dy të tjerët kishin arritur të dilnin në zonën e Kosovës.

Në njoftim theksohet se turisti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.