"Buka e Harruar"

"Buka e Harruar" - Historia e mullinjve që dikur furnizonin me miell tërë Kosovën, sot nën mëshirën e fatit (VIDEO)

Nevoja për ujë e miell, për të jetuar dhe për tregti është pasqyrë e jetës së dikurshme. Ndonëse mbi 80 mullinj ishin funksional vite më parë në Ferizaj bashkë me fshatra, pak nga ta bluajnë drithërat sot.

“Nevojat e popullatës për të sigruar bukën, ka bërë që me gjet forma që me i blu drithërat. Kjo ka bërë që nga shekulli i 16-të të fillojë ideja e ndërtimit të mullinjve të ujit” – thotë historiani Ilir Bytyçi.

Kohë më parë mulliri i lagjes Kurtaliqi në Pleshinë, ashtu edhe si mullinjtë e tjerë në Ferizaj u shërbyen banorëve që të sigurojnë jetesën e tyre. Sot ky mulli ende bluan por që interesimi për të nuk është si dikur.

Naim Kurtaliqi, njëri nga përdoruesit e mullirit, teksa tregon se si funksionon ai, thotë se nuk dihet se kur u ndërtua mulliri i vjetër mbi të cilin kjo lagje ndërtoi të riun.

“Mulliri kur ka ujë dhe misër arrin me prodhu deri në 200 kilogramë miell në ditë. Mulliri funksionon me sjelljen e rrotës përmes ujit, e lidhim me rrip gurin dhe fillon bluarja e misrit. Për konsumim të njerëzve përdorim misrin e bardhë. Pas bluarjes e bëjmë sitjen që mos me mbetë në miell lëvoret dhe tufa e mistrit” – tregon Kurtaliqi.

“Para 50 vjetëve vinin kah 2-3 vetë të lagjes, rrinin këtu tërë ditën duke bluar e duke bërë muhabet” – shton Kurtaliqi.

Derisa vite më parë, njerëz nga të gjitha anët e Kosovës prisnin në radhë me ditë e javë për të bluar drithin në mullinjtë e Ferizajt, sot shumë nga ta kanë mbetë relikte të kohës.

“Vetëm në rrjedhën e lumit Nerodime kanë qenë 52 mullinj. Në tërë Ferizajn besohet se mbi 80 por që shifra mund të jetë edhe më e lartë. Këta millinj ju kanë ndihmë ju vetëm ferizajasve por edhe banorëve të trevave tjera për përfitimin e miellit. Këtu njerëzit kanë qëndruar me ditë të tëra për të bluar drithërat” – deklaron Ilir Bytyçi.

Edhe Nazmi Baliu nga fshati Jezerc ka një mulli funksional, ai tregon se më nuk po përdoret për tregti siç u përdor vite më parë. Baliu thotë se dora e shtetit është ajo që nevojitet për të ruajtur mullinjtë e Ferizajt.

“Mulliri është i vjetër, nuk e mbajnë mend as pleqtë, as baba i babait. Ndërtimi i fundit është e katërta herë. Këtu kanë prit njerëzit me javë në radhë për të bluar. Këtu ka qenë edhe stalla e kuajve ku kanë ardh njerëzit me kuaj për të bluar. Kur themi se 52 mullinj kanë qenë në këtë grykë e lumi është derdhë nga mulliri në mulli, tani që nuk po mirëmbahen mullinjtë edhe fshatit i ka humb historia” – tregon Baliu.

Mullinjtë tani po përdoren më shumë për nevojat vetanake të pronarëve, pak për tregti ashtu siç përdorej më herët.

Mullinjtë në Ferizaj tregojnë se si jetuan të parët. Teksa sot nuk është se përdoren, nevoja për ruajtjen e mullinjve është e dukshme, për shkak të rëndësisë por edhe gjendjes së tyre jo të mirë.

“Mullinjtë po na tregojnë se si ka qenë e kaluara këtu. Sot ka rëndësi të bëhet ruajtja, mbrojtja, konservimi dhe restaurimi me qëllimin e vetëm që të ruhet tradita e bluarjes dhe si aset i rëndësishëm i trashëgimisë tonë” – shton historiani Bytyçi.