(Ilustrim) Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

28 Nëntori, data e tri ngjarjeve të rëndësishme për shqiptarët

Me aktivitete të ndryshme në mbarë vendin po shënohet 28 Nëntori, përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

28 Nëntori është data më e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

Tri ngjarje të mëdha historike për kombin shqiptar kanë ndodhur në këtë datë; çlirimi i Krujës dhe ngritja e flamurit kuq e zi nga Gjergj Kastrioti – Skenderbeu më 1443, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997.

Këto tri ngjarje, sipas historianëve, kanë shërbyer si hallkë për të lidhur përpjekjet për pavarësi dhe lirinë e shqiptarëve nga pushtuesit e ndryshëm.

Në Kosovë, festa e 28 Nëntorit, ka rëndësinë e 17 Shkurtit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (më 2008).

Në kuvendin e Vlorës më 1912, Kosova u përfaqësua me disa delegatë, të cilët edhe vunë firmën e tyre në dokumentin-aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Për historianët tanë shpallja e Pavarësisë së Kosovës plotëson një pjesë të aspiratës së shqiptarëve me theks të veçantë te shqiptarët në Kosovë.

Rëndësia historike

Historiani Haxhi Ademi thotë në një prononcim për KALLXO.com se 28 Nëntori është festë kombëtare e gjithë shqiptarëve dhe, sipas tij, festimi duhet parë në këtë kontekst.

Kjo festë, përveç në Shqipëri, festohet edhe nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kosovë, Luginë të Preshevës e në diasporë.

Ademi thotë se 28 Nëntori përkon me kthimin e Gjergj Kastrioti- Skënderbeut në Krujë, më 28 nëntor 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, dhe më daljen në skenë të UÇK-së më 28 nëntor 1997.

“Nëntorët shqiptarë: 1443, 1912, 1997, kanë shërbyer si hallkë për të lidhur përpjekjet për pavarësi dhe lirinë e shqiptarëve nga pushtuesit e ndryshëm. Kjo festë është e pakapërcyer, e pak rahasueshme dhe pazëvendësueshme për shqiptarët. Pra, vendet si Kruja, Vlora, Drenica lidhen në 28 nëntor, pra: 28 Nëntori i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, i Adem Jasharit dhe i shpalljes së UÇK-së”- ka thënë ai.

Astrit Sahitaj, historian, thotë se rëndësia e kësaj feste dhe shënimet që mbahen lidhen edhe me përpjekje e sakrifica drejt rrugëve të reja për një të ardhme dhe jetë më të mirë.

Ai thotë se sikurse te shumë popuj të tjerë edhe rrugëtimi i popullit shqiptar drejt krijimit të shtetësisë u përcoll me vështirësi e sakrifica të ndryshme.

“Edhe populli shqiptar pati vështirësi të mëdha në rrugën e vet. Elitat politike të monarkive, që u krijuan rreth viseve shqiptare gjatë shek. XIX, ndoqën një politikë që shtynte në krijimin e raporteve armiqësore nacionale, me synimin përvetësimin dhe spastrimin etnik të viseve shqiptare. Natyrisht shqiptarët nuk ndenjën duarkryq në periudhën e viteve 1830-1999”- tha ai.

Ndërsa, historiani Shpend Avdiu thotë se kujtesa kaq e fortë për 28 Nëntorin lidhet me qëllimin e shqiptarëve për liri.

“Kjo ndodh edhe për faktin se shumica e përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për liri kishin për qëllim edhe bashkimin e Kosovës me  Shqipërinë. Madje edhe flamuri që u ngrit më 28 Nëntor në Vlorë, shqiptarët e Kosovës e panë atë si të tyre. Gjithashtu edhe emblema e UÇK-së ishte dizajnuar me këtë flamur”- ka thënë Avdiu.

Kosova pas vitit 1912

Kuvendi i Vlorës më 28 nëntor 1912 shpall shtetin e pavarur shqiptar ku përfshiheshin vilajetet shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, e cila po shkonte drejt zhbërjes; Vilajeti i Janinës, Manastirit, Shkodrës dhe Kosovës. Por, pushtimi i trojeve shqiptare nga shtetet ballkanike dhe fuqitë e mëdha pamundësuan krijimin e shtetit shqiptar sipas vendimit të Kuvendit të Vlorës.

Konferenca e Londrës e mbajtur me 1913 la jashtë shtetit shqiptar mbi 40 % të territoreve shqiptare. Kosova iu dha Serbisë.

Organizimet e ndryshme për të rrëzuar vendimet e Konferencës së Londrës në Kosovë vazhduan edhe pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, për t’u kurorëzuar me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 2008, dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.