Masat për coronavirusin - 17 persona të stafit mjekësor në Viti janë të izoluar

17 zyrtarë të personelit mjekësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti gjenden të izoluar.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vitisë, Basri Aliu.

Ai tha se stafi mjekësor janë izoluar për shkak se kanë pasur kontakt me personin i cili gjatë ditës së sotme rezultoi se është i infektuar me virusin corona.

Në anën tjetër Drejtori Aliu nuk arriti të jap detaje se çfarë ka ndodhur me familjarët e 77 vjeçarit nëse janë izoluar apo jo.

“Nuk mund të ju jap detaje sepse ende nuk kemi diçka të tillë”, tha ai shkurt.

KALLXO.com raportoi se një 77 vjeçar kishte ardhur nga Italia më 5 mars të këtij muaji dhe gjatë mbrëmjes së kaluar kishte shkuar në QKMF në Viti pasi kishte simptoma të virusit corona.

I njëjti më pas ishte dërguar në Spitalin e Gjilanit ndërsa sot i njëjti ka dalë se është i infektuar me virusin.

“Në bazë të informatave që i kemi nga familjarët e tij, nuk po mundem me dhanë informata të sakta, dikund ka hy me 5 mars në Kosovë prej Italisë. Mbrëmë në orët e vona është paraqitur në emergjencë të Vitisë, mjekët kanë dyshuar dhe e kanë përcjellë për në Gjilan”, tha Aliu.

Ai shtoi se ende nuk është në dijeni për personat apo familjen e 77 vjeçarit nëse është izoluar apo jo.

“Sa për familje nuk kemi ende në informacion sepse deri tash nuk kemi marrë informacion zyrtar. Na këtu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare i kemi ndërmarrë të gjitha masat e tona, domethënë objekti ku ka qenë pacienti ka qenë i boshatisur dhe është bërë dezinfektimi i tij sot pasdite. Ndërsa stafi mjekësor që ka qenë prezent kanë qenë në karantinë, prej nivelit qendror reagimet kanë qenë të ngadalshme në këtë rast”, tha Aliu per KALLXO.com.

Konfirmimi për coronavirus, familje në Klinë vendosen në karantinë

.