Maqedonci: Në takimin e Këshillit të Sigurisë në Serbi morën pjesë edhe komandant që organizuan sulmin në Banjskë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se në takimin e fundi të Këshillit të Sigurisë në Serbi, kanë marrë pjesë edhe komandant që kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit.

Duke shkruar në rrjetin social Facebook, Maqedonci ka thënë se presidenti serbv Aleksandar Vuçiq ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë me urgjencë, dy ditë pasi kryeministri Albin Kurti kishte denoncuar publikisht provokimet e Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

“..por ajo çfarë është shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli, është prezenca e Komandantit të Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, formacione ushtarake këto që dyshohet që kanë realizuar përgatitjen dhe trajnimin e qindra anëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile/Brigada e Veriut”, e të cilët më pas morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit” – ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar se me 21.03.2024 njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Ai ka publikuar një video ku shihen disa persona në uniformë.

Kurti tha se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kurti publikon pamje të ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën